5 destinacionet më të mira për ushqimin

Ushqimi, ushqimi i shijshëm që mezi presim ta provojmë, është një nga përbërësit kryesorë për formulën e pushimeve të mira. Ne do të propozojmë 5 destinacione, ku përveç peizazhit, historisë dhe aktiviteteve, hahet shumë mirë.

Gjithçka, nga vaktet me tre pjata në restorante luksoze, tek ushqimet e shitësve ambulantë, është fantastike në këto qytete. Kështu, në valixhe paketoni mirë edhe oreksin tuaj, kur të doni të vizitoni një nga këto vende.

Roma

Kush nuk do ta rekomandonte Romën për ushqimin dhe verërat. Pastat, picat, qoftet e bëra vetë dhe mocarela e freskët. Roma ofron në çdo cep të sajin, restorante të vogla që bëjnë ushqim të shijshëm. Ajo që mund të mos dinit, është që shumë nga këto vende ofrojnë çmime të reduktuara gjatë orareve të caktuara si 17:00-19:00, mjafton të pyesni.

New Orleans

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk njihen veçanërisht për kulturën e tyre në gastronomi, por një qytet si New Orleans, ka mundur të kombinojë shijet botërore në një pjatë të vetme.

Një pjatë e nxehtë gumbo, ofron një përzierje të ndikimeve në gatim nga Europa, Afrika, Karaibet dhe fiset indigjene. Në tërësi ushqimi në New Orleans ka shije të fortë, por jo mbytëse dhe as shumë djegës, pra një balancë të përsosur shijesh, dhe është po aq pjesë përbërëse e tij sa xhazi.

Osaka

Okonomiyaki, një nga pjatat më të famshme të qytetit, është një petull e shijshme e mbushur me mish derri, oktapodi, ose kallamari. Vetë Osaka është i gjithëpranuar si kryeqyteti i ushqimit i Japonisë, falë larmisë së ushqimit të mirë dhe të lirë, sidomos ato me bazë prodhime deti.

Rrugët e Osakës janë të mbushur me restorante të vogla buzë rrugës, të cilat janë shumë miqësorë me turistët dhe kanë zakonisht menu edhe në anglisht.

Gjithsesi, mos u limitoni tek ushqimet e detit, pasi Osaka ka alternativa të mira edhe për vegjetarianët, si edhe bën ëmbëlsira shumë të shijshme.

Melbourne

Ndonjëherë ushqimi shijon më shumë edhe për syrin, dhe mënyra e prezantimit të tij, apo vendi se ku po drekon ka të bëjë shumë me eksperiencën në tërësi.

Një gjë që duhet të provoni me patjetër janë midhjet e freskëta nga tregu “Mbretëresha Viktoria”. Por nëse nuk ndiheni kaq aventurierë, “American Doughnut Kitchen” shërben ëmbëlsira të shijshme nga një furgon ushqimi i viteve 1950.

Melbourne është alternativa ideale nëse doni të provoni pak nga të gjitha kulturat ushqimore, nga ushqimi kinez, tek ai italian.

Varshava

Varshava është një nga destinacionet më të lira europiane dhe kjo përkthehet edhe në çmimin e ushqimeve. Si një vend me klimë të ftohtë, natyrisht që ushqimi është i orientuar tek brumrat dhe mishi. Pierogi, Bigos, barszcz, golonka, nalesniki, kluski, mund të ngjajnë si emra lojtarësh të kombëtres polake, por në të vërtetë janë ushqime shumë të shijshme, sidomos për ata që preferojnë mishin, sallamrat, djathin e shkrirë dhe byrekët e mbushur.

Be the first to comment

Leave a Reply

Your email address will not be published.


*